Në gjykimin e filluar rishtazi të dy të akuzuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit që të dy u deklaruan sërish të pafajshëm.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, bëri të ditur se për shkak të afrimit të pensionimit të anëtarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, ai do të zëvendësohet nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli dhe rrjedhimisht gjykimi ka nisur rishtazi, raporton “Betimi për drejtësi”.
Prokurori special Bekim Kodraliu tha se nga provat e grumbulluara që do të administrohen gjatë gjyqit do të vërtetohet se dy të pandehurit e kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer BIA-së
“Raportet për hyrje daljet për Serbi dhe kthimi në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacione dhe fotoalbume, që përmbajnë foto të luftës së Kosovës, diagrame, fotografi të përgatitura, e në veçanti provat materiale të cilat janë gjetur në posedim tek i pandehuri Bedri Shabani, do të vërtetohet se i njëjti që spitalin e Mollopolcit, ta ndërlidhë me shtëpinë e ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë, në Shqipëri. Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet që i pandehuri Bedri Shabani nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes Srgjan Rosiqit, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe librave që kanë të bëjnë më ngjarjet të UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimit telefonik dhe takimeve fizike me Srgjan Rosiqin”, tha Kodraliu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.
Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.
