
Tea Hoxha, këshilltare për çështje ligjore e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka reaguar pas njoftimit të GLPS-së se 30 nga 76 vendime të qeverisë në largim janë të kundërligjshme.
GLPS thekson se nga data 9 shkurt 2025 (dita e zgjedhjeve) e deri më 27 mars 2025 (dita e certifikimit të rezultateve nga KQZ), Qeveria në largim ka mbajtur 7 mbledhje dhe ka marrë 76 vendime.
“Marrë parasysh kufizimet që i njeh Ligji në situatat kur kemi të bëjmë me Qeveri në largim, GLPS vlerëson se 13 nga këto vendime janë të kundërligjshme për shkak se janë marrë duke i tejkaluar kufizimet në kuadër të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë. Kurse, vendimet e tjera janë në kuadër të punëve të përditshme dhe për shkak të vijueshmërisë normale të veprimtarisë ekzekutive”, thuhet në njoftim.
“Ndërsa, duke qenë se nga data 27 mars 2025, kur në kundërshtim me Kushtetutën, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar zyrtarët me post ekzekutiv si deputetë të legjislaturës së IX-të, të njëjtit duke shfrytëzuar mandatin kundër kushtetues si zyrtarëve me post ekzekutiv e njëkohësisht të certifikuar si deputetë kanë marrë pjesë dhe kanë votuar në tri mbledhjet e radhës të Ekzekutivit.
Në këto takime janë marrë gjithsej 17 vendime, nga një kabinet qeveritar i cili në përbërjen e tij ka pasur kryeministër e ministra që në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës, kanë prezantuar dhe kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që secili nga këto vendime është i kundërligjshëm sepse është marrë nga një përbërje e Ekzekutivit në kundërshtim me aktin më të lartë juridik”, thuhej tutje në komunikatë.
E pas kësaj, ka reaguar këshilltarja për çështje ligjore e Kurtit.
Ajo thekson se juristët e kësaj organizate nuk kanë lexuar si duhet Ligjin për Qeverinë.
“Sipas kolegëve të rinj nga GLPS, Qeveria në dorëheqje ka shkelur ligjin kur ka aprovuar vendime që lidhen me procedurat e rekrutimit.
Thënë më së buti, juristët e kësaj organizate nuk kanë lexuar si duhet Ligjin për Qeverinë. Ligji në fjalë është i qartë në nenin 31 ku parashihen kompetencat e qeverisë në dorëheqje. Lidhur me procedurat e rekrutimit, neni 31 ndalon: ‘inicimin e procedurave të reja’, por jo përfundimin e procedurave të nisura para datës 23 mars 2025 kur ka skaduar mandati i qeverisë”, tha ajo.
Sipas saj, procedurat e rekrutimit, qoftë ato për ndërmarrje publike apo shërbim civil, të nisura para datës 23 mars 2025 duhet të përfundojnë.
“Ligji lejon këtë, ashtu që të ketë parashikueshmëri e siguri juridike. Edhe pse në rastin konkret situata është e qartë dhe e rregulluar shprehimisht, duhet kuptuar që ligjet interpretohen në tërësinë e tyre. Së paku kjo duhet të jetë punë e juristëve sepse të lexojnë dispozita ligjesh dinë të gjithë.
Po ashtu, GLPS i ishte referuar edhe nenit 72 të Kushtetutës dhe papajtueshmërisë së mandatit të deputetit me çdo pozitë tjetër, përfshirë asaj në ekzekutiv. Qëllimi i nenit 72 të Kushtetutës ka për qëllim parandalimin e konfliktit të interesit i cili në rastin aktual nuk ekziston. Ligji për Qeverinë në nenin 31 kufizon kompetencat e qeverisë pas skadimit të mandatit, duke ndaluar hartimin e politikave të reja që kërkojnë aprovim të Kuvendit. Kështu pra e parandalon konfliktin”, tha tutje ajo.
Sipas Hoxhës, çdo teori tjetër kundërshton parimet demokratike e të sundimit të ligjit dhe si të tilla janë të rrezikshme e të papranueshme.
“Kontributi i organizatave joqeveritare është i mirëseardhur kur bazohet në analiza e vlerësime të sakta. Ky nuk është një prej tyre”, tha ajo