Graciano Tagani ishte i ftuar në emisionin “Studio A” në ATV, ku u pyet për raportin e tij me Einxhel Shkirën, për të cilën ai reagoi për herë të parë drejtpërdrejt pas një kohe të gjatë.
Ai u ndal te marrëdhënia e tyre dhe mënyra si zgjedh ta kujtojë njerëzit në jetën e tij, duke lënë të kuptohet se të paktën nga ana e tij nuk ka asnjë hatërmbetje:
“Unë Einxhin e kam njohur nga ‘E Diell’ dhe [ka qenë] një mikesha shumë e mirë e jona. Unë preferoj, si tek Einxhi, si te çdo njeri, të mbaj mend dhe të diskutoj gjithmonë gjërat e mira dhe jo të këqijat, sepse nuk ka njeri pa të meta, pa gabime.
Unë Einxhin preferoj ta kujtoj dhe ta vlerësoj për mbështetjet, që mua më ka qëndruar afër kur unë kam pasur nevojë. Gjithmonë kështu e kam për çdo njeri, në familje, në shoqëri, çfarëdo që të ndodhë, unë njerëzit dua t’i kujtoj për gjërat e mira dhe aspak për hatërmbetje ose për gjëra të vogla që janë kalimtare dhe besoj se nuk shkatërrojnë dot një imazh të një shoqërie aq vite për ca cicmice të vogla do thoja.
Jam gati ta shkruaj në ballë këtë gjë, që mirënjohja është virtyti më i mirë i çdo personi.”
Në dhjetor 2025, u duk se raporti i dikurshëm i fortë mes Einxhel Shkirës, Graciano Taganit, si dhe Fjoralba Ponarit dhe Argjira Spancës, ishte krisur. Einxhel u kishte bërë unfollow ose block në Instagram miqve, duke ndezur aludimet për një prishje të plotë të miqësisë së tyre shumëvjeçare.
Pak më vonë, Graciano reagoi në Instagram me një story që u interpretua si thumb ndaj Einxhelit, duke shkruar:
“Mirënjohja është virtyti më i mirë i çdo personi. Kjo është motoja ime,” siç edhe përsëriti në “Studio A”.
Në mars 2026, vetë Einxhel vendosi të flasë për herë të parë hapur për këtë krisje, gjatë intervistës në “Mirëmbrëma yje”. Ajo pranoi se raportet nuk janë më si më parë dhe se zhgënjimi ka luajtur rol të rëndësishëm në distancimin mes tyre.
“Të them të drejtën, disa gjëra janë shumë të bukura për aq sa zgjasin. Nuk është se miqësitë mbarojnë, thjesht ndonjëherë ndodh që njerëzit nuk janë gjithmonë aty për mua, kur kam nevojë.”
Ajo përmendi edhe një moment personal, duke nënkuptuar se miqtë nuk i janë gjendur pranë në një moment vështirësie:
“Tani, unë theva këmbën. Atë ditë dolën lajme sikur ishte një aksident tragjik dhe sikur mund të vdisja… Dhe ndoshta, kur i do shumë dhe pret shumë nga njerëzit, ndodh që zhgënjehesh.”
