Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Grafitet me përmbajtje kanosëse ndaj Kurtit, Dashevci: Luftë e egër hibride e Serbisë karshi Kosovës

 
   

Kanosjet në formë të grafiteve në veri të Mitrovicës po shihen si forma më e egër e luftës hibride të shtetit serb karshi Kosovës.

Mëngjesin e sotëm në pjesën veriore të vendit është identifikuar një grafit me përmbajtje kanosëse ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Rastin për grafitin kërcënues karshi kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i cili kishte mbishkrimin “Me agimin që po lind në Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”, e ka konfirmuar për KosovaPress edhe zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, Veton Elshani.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci thotë se institucionet e sigurisë po arrijnë në kohë dhe mënyrë efikase t’i trajtojnë këto raste.

Dashevci: Grafitet në veri forma më e egër e luftës hibride

“Këto grafite që po shpërndahen kryesisht edhe gjatë orëve të vona të natës, në pjesën matan lumit Ibër i shoh si forma më e egër e luftës hibride që po zhvillohet në Kosovë kundrejt Republikës së Kosovës që sa e sa kohë….Po arrihet shumë shpejt që të haset se kush janë këta persona por edhe të kapën prej organeve të sigurisë dhe ndjekjes ose drejtësisë se a po hapet rast për ta apo jo. Në aspektin e sigurisë çdo pamflet që sjell përçarje ose mosdurim ose kërcënim ose kanosje gjithsesi që trajtohet nga institucioni publik i Kosovës siç është Policia por edhe agjencitë tjera të sigurisë. Tash edhe kjo koha parazgjedhore sepse po dihet se nganjëherë po janë edhe të mitur. Pra, janë të nxitur dhe të shtyrë nga tjetër kush sipas mendimit tim, dhe unë mendoj se janë të shtytur nga çarqet destruktive definitivisht nga Serbia dhe establishmenti i kontaminuar atje, theksoi ai.

Sa i përket grafitit të mbrëmshëm që atakon Kurtin,Dashevci vlerëson se nuk është shumë serioz që ngjallë panik.

Dashevci: Nuk e shoh si shumë serioz në atë aspektin e sigurisë

“Nuk e shoh si shumë serioz në atë aspektin e sigurisë sepse masat preventive janë maksimale. Policia dhe organet e sigurisë janë në vigjilencë i përcjellin këto në kontinuitet në 24 orë dhe 7 ditë të javës dhe nuk shoh cenim të sigurisë, ose seriozitet ekstrem që të shfaqet ndonjë panik ose diçka tjetër se nuk ka panik dhe asgjë siç po e shihni gjithçka është normale. Por, gjendemi në atë stadin e portokalltë andaj reagohet me seriozitet definitivisht”, u shpreh ai.

Ditë më parë në Mitrovicën e Veriut janë shpërndarë edhe afishe të cilat si porosi kishin vendosjen e flamurit serb në secilën shtëpi dhe veturë. Për këto afishe nuk u hap rast nga institucionet përgjegjëse.

Shpërndarja e këtyre afisheve kishte ndodhur një ditë pasi u mbuluan me ngjyre grafitet dhe personalitetet nacionaliste në këtë pjesë të vendit.