
Në Shtetet e Bashkuara, Richard Grenell dhe John Jovanovic organizuan një takim jozyrtar me udhëheqës nga vendet e Ballkanit: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Kroacia dhe Shqipëria, të përfaqësuar nga presidenti Bajram Begaj dhe ministrja Elisa Spiropali.
Nga kjo tryezë mungoi vetëm Kosova. Pavarësisht se nuk ishte një takim zyrtar i qeverisë amerikane, mesazhi politik ishte i qartë: Kosova nuk u ftua në diskutimet rajonale, ndërsa fqinjët e saj u ulën në të njëjtën tavolinë me përfaqësuesit serbë.
Richard Grenell, i njohur për qëndrimet e tij pro-Serbisë dhe lobimin e hapur në favor të Beogradit, duket se po rikthehet në skenën ballkanike përmes këtyre formateve jozyrtare.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë tryezë, ku Kosova mungoi, shihet nga shumëkush si një hap i gabuar politik. Duke u ulur në një tavolinë ku Prishtina nuk kishte vend, Tirana dërgoi një mesazh të dyshimtë që bie ndesh me interesat e vetë shtetit shqiptar dhe të Kosovës.
Ky zhvillim ka ngjallur debate mbi mënyrën se si trajtohet Kosova në arenën ndërkombëtare dhe mbi pozicionimin e Shqipërisë në raport me formatet ku përjashtohet Kosova.
Delegacionet e vendeve ballkanike të mbledhura në SHBA – një tavolinë rajonale pa Kosovën.