Më 17 shkurt, në përvjetorin e 18-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, do të organizohet një protestë mbarëpopullore në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Për këtë organizim ka folur Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK, i cili, në një bisedë për Euronews Albania, ka thënë se pret që pjesëmarrës të jenë presidentët e dy shteteve shqiptare, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani.
“Deri më tani, nuk është zyrtare, por në bazë të informacioneve, presim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj bashkë me presidenten Vjosa Osmanin t’i bashkëngjiten protestës në Prishtinë. Taulant Balla do të jetë pjesë e protestës, sikurse edhe shumë deputetë nga të gjitha partitë politike në Shqipëri. Po ashtu, edhe studentë nga universitetet e Shqipërisë, të cilët do të vijnë në mënyrë të organizuar”, deklaroi Gucati.
Ndryshe, platforma qytetare “Liria ka Emër”, përmes përfaqësuesve të saj Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, mbajti sot konferencën e fundit për media para marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në fjalën e saj, Eliza Hoxha theksoi se pas dy ditësh, sheshi i kryeqytetit “nuk do të jetë thjesht një hapësirë publike, por zemra e Kosovës që rreh njëzëri”, duke e cilësuar marshin si dëshmi të unitetit qytetar në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe respektit ndaj historisë së vendit.
Ajo bëri të ditur se mobilizimi qytetar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe gjithëpërfshirës.
“Kemi marrë mbështetje nga të gjitha komunat e vendit. Nga çdo cep i Kosovës kanë ardhur mesazhe përkrahjeje, konfirmime pjesëmarrjeje dhe angazhim konkret për organizimin e transportit dhe mobilizimin lokal,” deklaroi Hoxha.
Sipas saj, marshit i janë bashkuar sindikata, profesionistë të lirë, mësimdhënës, mjekë, artistë, sportistë dhe përfaqësues të bashkësive fetare, duke dëshmuar se kjo nismë është përtej ndasive politike.
“Kjo nuk është çështje partie. Nuk është çështje pushteti. Është çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar,” theksoi ajo.
Platforma njoftoi se ka konfirmime pjesëmarrjeje edhe nga shqiptarë të rajonit dhe nga diaspora në Evropë. Po ashtu, dhjetëra familje kosovare kanë konfirmuar pjesëmarrjen familjarisht, me fëmijë, prindër dhe gjyshër.
Eliza Hoxha theksoi se ky marsh tashmë nuk i përket një platforme apo disa individëve, por i përket popullit.
“Ne presim mbi 200 mijë qytetarë dhe synojmë që ky të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë. Por madhështia e tij do të matet me qetësinë, disiplinën dhe seriozitetin e mesazhit që do të përcjellim,” tha ajo, duke shtuar se qytetarët do të dalin për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
