Lajme

Gurakuç Kuçi: 17 Shkurti nuk është vetëm festë, por përgjegjësi e përditshme për Kosovën

Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi ka reaguar me një mesazh reflektues në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovo, duke theksuar se 17 Shkurti nuk është vetëm festë, por edhe kujtesë dhe përgjegjësi.

Përmes një postimi publik, ai u shpreh se pavarësia nuk ishte “aksident historik”, por rezultat i sakrificës, rezistencës dhe një procesi të gjatë e të dhimbshëm.

Kuçi theksoi se shteti nuk përfundon me shpalljen e pavarësisë, por fillon aty, duke ngritur pyetjen se sa është forcuar dhe zhvilluar Kosova ndër vite.

Postimi i plotë:

17 Shkurti nuk është vetëm festë. Është kujtesë.

Kujtesë për sakrificën, për ata që nuk e panë këtë ditë, për vitet e vështira kur shteti ishte vetëm ide dhe besim. Pavarësia e Kosovës nuk ishte aksident historik. Ishte vullnet politik, ishte rezistencë, ishte një proces i gjatë dhe i dhimbshëm shekullor që sot është realitet.

Por, shteti nuk përfundon me shpalljen e pavarësisë. Ai fillon aty. Çdo 17 Shkurt është një pyetje për ne se çfarë kemi bërë me këtë shtet? A e kemi forcuar? A e kemi mbrojtur? A e kemi zhvilluar?

Kosova sot përballet me sfida reale, me presion gjeopolitik, tensione rajonale, luftë informative. Por kemi edhe një avantazh se e dimë sa shtrenjtë ka kushtuar ky shtet. Dhe kur e di çmimin, nuk e merr si të mirëqenë.

Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre që festojnë me ne.

Le të festojmë, por edhe të reflektojmë. Sepse pavarësia nuk është vetëm histori, është përgjegjësi e përditshme.

Të Ngjashme