Banorët e Rrjollit vijojnë sot me protestën kundër ndërtimit të resortit luksoz të Bashkim Ulajt. Burrat e zonës kanë dalë për t’i bllokuar rrugën makinerive dhe punimet kompanisë ‘Gener 2’ së bashku me gratë, fëmijët e të moshuarit.
Banorët kanë qëlluar me gurë drejt fadromave të kompanisë së Bashkim Uajt, duke i kërkuar punonjësve të zbrisnin dhe të mos tentojnë të nisin punën. Në zonë janë prezente dhe forca të shumta të policisë, duke u përpjekur për të shuar tensionet.
Banorët e Rrjollit në Velipojë pretendojnë pronësinë e tokës, pronë e trashëguar që nga hera nga paraardhësit. Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorisë, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik i Bashkim Ulajt.
Sipas tyre, dokumentacioni që ata zotërojnë provon pronësinë e ligjshme të tokës dhe kërkojnë nga organet e drejtësisë që çështja të trajtohet me prioritet, duke shmangur zvarritjen e mëtejshme të procesit.
Banorët kanë protestuar dhe përpara bashkisë e përpara godinës së Parlamentit. Ata janë takuar gjithashtu dhe me kryebashkiakun e Shkodrës, të cilit i kanë kërkuar shpjegime për lejen e ndërtimit që i është dhënë botuesit Bashkim Ulaj, por nuk kanë marrë përgjigje.
