Lajme

Gushti nis me fluks rekord, mijëra vetura nga diaspora hyjnë në Kosovë

Dita e parë e muajit gusht edhe këtë vit ka sjellë fluks të lartë të diasporës që po kthehen në vendlindje për pushime. Ata vijnë nga vende të ndryshme të botës ku jetojnë e punojnë. Rruga është e lodhshme për ta, por vendlindja thonë se u kthen disponimin.

“Mirë shumë mirë kemi kalua, ka pas pak vonesa por është e lejueshme normal tash është sezona”, thotë Denis Elshani bashkatdhetar në Danimarkë.

Kurse Bekim Basha, udhëtar nga Gjermania, thotë se Kroacia ishte më e vështirë, “kemi prit 2 orë e gjysmë me 20 kerre, në Shqipëri kemi kaluar fantazi, si në Shqipëri ma”.

Lumnie Bajramaj bashkatdhetarë nga Zvica, thotë se kanë bërë 24 orë rrugë, dhe se kanë prit dy orë në Kroaci dhe se në pikat kufitare më Shqipërinë kanë kaluar mirë, nuk janë vonua.

Bashkatdhetarët tanë edhe këtë vit po subvencionohen nga shteti me polica të sigurimit të automjeteve, ndërsa në Vërmicë atë po e marrin në një kohë shumë të shkurtër.

“Dy minuta jam vonu, jo dy minuta shumë janë në rregull është gjthqka, vetëm pak kishte kolona, gjithmonë ka”, thotë Bekim Nexhipi, bashkatdhetar nga Zvicër.

Sipas përfaqësuesve të zyrës së Byrosë Kosovare të Sigurimeve, fillimi i muajit gusht arrinë pikun e fluksit të ardhjes së tyre në atdhe.

“Muaji korrik ka përfunduar me së paku 35 mijë vetura të diasporës që kanë hyrë në Kosovë, si dhe kanë marrë siguracion në këtë pikë. Qeveria po subvencionon edhe këtë vit diasporën me kategorinë e automjeteve të udhëtarëve”, thotë Agron Berisha nga BKS.

Vendet ku bashkatdhetarët tanë përfaqësohen më së shumti janë Gjermania dhe Zvicra, më pas Italia dhe vendet nordike, ndërsa Byroja Kosovare e Sigurimeve po punon 24/7.

“Mërgimtarit nuk i duhen minuta, i duhen disa sekonda, jemi të përgatitur mirë profesionalisht, stafi është në nivelin e duhur, kështu që pak sekonda i duhet të presë në sportelet e BSK-së. Jemi duke punuar me kapacitete maksimale si në qendër si në pikë këtu jemi me kapacitete maksimale. BSK punon 24/7 nuk kemi ndërprerje të punës”, shton Berisha

Sipas zyrës së BKS-së, deri më tani mbi 13 mijë vetura ishin nga Zvicra, 10 deri në 12 mijë nga Gjermania dhe pjesa tjetër nga vendet e tjera evropiane.

Ditët në vijim pritet një rënie e fluksit të ardhjes së bashkatdhetarëve nga Evropa. 

Të Ngjashme