Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me delegacionin e tij, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), u mirëprit në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga Drejtorja në Detyrë, Audrey Linthorst, drejtues tjerë të lartë dhe ekipi i saj.
Takimi riafirmoi partneritetin e fortë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në projektin aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit në fusha që janë diskutuar më parë.
Në komunikatë thuhet se guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart rifillimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike.
“Gjithashtu, ai vlerësoi lartë rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar funksionet kryesore dhe kapacitetet e BQK-së”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur se delegacioni i BQK-së e informoi ekipin e Thesarit mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, masat e marra për të luftuar monedhat false dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit financiar, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për mbikëqyrje të bazuar në rrezik.
Gjithashtu, Guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.
Nga ana e tyre, udhëheqësit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar projektet ekzistuese dhe për të zgjeruar bashkëpunimin nën programin e ri të asistencës teknike.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të promovuar një sektor të fortë financiar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

