Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LQSHA-së, Hafiz Shala, ka bërë një thirrje publike ndaj strukturave shtetërore, partive politike dhe deputetëve të sapozgjedhur, duke kërkuar mbështetjen e Vjosa Osmanit për Presidente të Kosovës.
Sipas Shalës, vetëm Osmani mund ta përfaqësojë Kosovën në Bordin e Paqes nën udhëheqjen e Presidentit amerikan Donald Trump, duke garantuar, sipas tij, paqe, siguri dhe afirmim ndërkombëtar për vendin. Ai thekson se përvoja diplomatike e Presidentes Osmani dhe afërsia e saj me Administratën Amerikane e bëjnë të pazëvendësueshme në këtë rol.
Shala paralajmëron se mosvotimi i Osmanit do të ishte “gabim fatal” për të ardhmen e vendit, duke nënvizuar se kjo do ta privonte Kosovën nga një përfaqësim i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në një kohë kur, sipas tij, marrëdhëniet Serbi–SHBA janë në nivelin më të ulët.

Hafiz Shala
Ai gjithashtu kritikon deputetët që mund të mos marrin pjesë në votim, duke i krahasuar me veprime historike që kanë dëmtuar interesat e Kosovës, dhe u bën thirrje që të veprojnë me përgjegjësi dhe largpamësi.
Në fund, Shala thekson se mbështetja për Osmanin nuk është në favor të një individi, por në interes të shtetit dhe të gjeneratave të reja, duke shtuar se kjo është një mundësi që, sipas tij, “nuk do të përsëritet më”.
Postimi i plotë:
Nëse doni të jeni anëtar i Bordit të Paqes nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që nënkupton se jeni në harkun e sigurt të paqes, sigurisë dhe afirmimit ndërkombëtar, atëherë nuk ka emër tjetër të përveçëm që mund ta zëvendësojë znj. Presidente Vjosa Osmani. Ndërsa aftësia dhe puna e saj e suksesshme diplomatike, si dhe afërsia e saj me Presidentin Trump dhe Administratën Amerikane, e bëjnë iluzore që ndokush tjetër të mund të jetë pjesë e këtij Bordi të Paqes.
Propozime të këtilla janë rezultat i mosnjohjes reale të gjendjes dhe rrethanave gjeopolitike e gjeostrategjike, të cilat janë aq të paparashikueshme sa që shumkush, nganjëherë edhe me qëllime më të mira, nuk përputhet me interesat afatgjata të shtetit dhe me atë që po ndodh në këto momente e rrethana.
Gabim me fatalitet për vendin dhe të ardhmen e tij do të jetë mosvotimi i znj. Osmani për Presidente, që nënkupton edhe mungesën e anëtarësimit në Bordin e Paqes. Në këtë rast, nuk vjen në shprehje çfarëdo lloj patriotizmi emocional, sepse ta shohësh Republikën e Dardanisë pjesë e një mini-OKB-je në këtë variant, kurrë nuk do ta kishte shansin që, me prezencën në këtë forum ekzekutiv, drejtpërdrejt t’i paraqesësh kërkesat, brengat dhe synimet, të cilat do të hasin në mirëkuptim dhe përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Posaçërisht kur marrëdhëniet bilaterale Serbi–SHBA kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët.
Pse dikush mendon se nuk duhet të votohet Vjosa Osmani si Presidente, që i bie njëkohësisht edhe në Bordin e Paqes?
Për hir të xhelozisë dhe urrejtjes apo epsheve karrieriste. Nëse nuk shfrytëzohet ky rast i veçantë, a mos po sillen paqja, siguria dhe tërësia territoriale e vendit në pikëpyetje edhe pas 18 vitesh pavarësi? Duke i pasur parasysh qëllimet dhe epshet territoriale të pashuara të Serbisë ndaj territorit të Dardanisë, të mbështetura nga Rusia, aleate shekullore, kjo na detyron të mendojmë me largpamësi, sepse Serbia po i edukon popullin dhe gjeneratat e reja me filozofi indoktrinuese të urrejtjes skizofrenike ndaj shqiptarëve.
Ata deputetë të cilët bile as minimalisht nuk qëndrojnë në sallë me rastin e votimit të Presidentes, do të mbeten në histori me damkën e aktit të tradhtisë ndaj vendit, mu ashtu si ata deputetë të Dardanisë që në vitin 1989, kur në Parlament u votua për suprimimin e autonomisë nën presionin psikologjik të dhunës, të rrethuar me tanke gjatë votimit me urdhrin e kriminelit Slobodan Millosheviq, disa e ngritën dorën pro, të cilët janë regjistruar edhe në shiritin e filmit si dëshmi e turpit dhe tradhtisë ndaj vendit, e cila do t’i përcjellë përjetësisht.
Në këtë rast nuk do t’i keni tanket përreth, por në vend të tyre e keni xhelozinë, interesat partiake, karrieriste dhe mundësinë që përmes sabotimeve të këtilla ta pamundësoni konstituimin e organeve shtetërore, për të krijuar një gjendje kaotike, duke e pamundësuar funksionimin e organeve të drejtësisë për t’iu ikur përgjegjësisë dhe të bëmave si ish-pushtetarë gjatë sundimit 20-vjeçar në krye të Republikës së Dardanisë.
Dikush do të më thotë se ky krahasim nuk është identik. Por Dardania është gjithnjë e rrezikuar nga fqinji ynë verior, prandaj imagjinojeni se pa Amerikën pranë nesh dhe me ne, a do të jemi të sigurt për paqen, sigurinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale?
Mos luani me fatin e vendit, kur e kemi mundësinë që për këtë rrezik kurrë më të mos brengosemi.
Më falni për pamodesti, por po na i hiqni nga dora mundin dhe adutet e lobimeve të cilat i kemi dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe prej tri dekadash e gjysmë, edhe tani në këto momente, duke i bindur autoritetet demokratike amerikane: Kongresin dhe Senatin, ku qëndron edhe fuqia vendimmarrëse, të cilat përmes rezolutave të miratuara shndërroheshin në akte obligative për Administratën, në radhë të parë për Departamentin/Qeverinë Amerikane, përmes organeve të saj që obligohen t’i zbatojnë në praktikë.
Mendoni të qetë, me gjakftohtësi dhe me përgjegjësi para popullit, i cili ua ka dhënë besimin për të sjellë vendime në interes të vendit, posaçërisht për gjeneratat e reja, të cilat fatkeqësisht po e lëshojnë vendin; bile t’ua sigurojmë paqen dhe prosperitetin përmes vendeve të reja të punës, për t’i joshur që të kthehen sa më shpejt në vendlindje.
Të mos keqkuptohemi se kjo nuk e ka për qëllim t’i bëhen favore Presidentes, por shtetit, në këto rrethana të krijuara favorizuese, kur është në pyetje interesi i madh shtetëror, i cili po përputhet me atë amerikan, të cilin maksimalisht duhet shfrytëzuar, sepse ky rast kurrë më nuk do të na përsëritet.
Hafiz Shala
Anëtar i Bordit Ekzekutiv i LQSHA
New York
