Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i është përgjigjur sërish propozimit të kryeministrit Albin Kurti për miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Feride Rushtin për president, si parakusht për miratimin në lexim të dytë të Ligjit për specialen.
Hamza: Kurti po dëshiron përmes ligjit për Specialen të kapë institucionet e vendit
“Kjo çka po shohim dhe dëgjojmë nuk është serioze për vendin dhe temat që po bisedojmë. Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit. E kam thënë dhe po e ripërsëris se çështja e ligjit nuk është temë që i takon vetëm PDK-së… Qëllimi i kësaj teme është si ta përdori ligjin për shantazh për të arritur qëllimin politik, që të ketë një president politik dhe ta përmbyllë 100 për qind kapjen e institucioneve të shtetit”, tha ai.
Hamza tha se çështja e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, po ndërlidhet miratimi i ligjit me zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, PDK-ja nuk do të pranojë, siç e cilësoi ai, shantazhe politike në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Hamza: PDK-ja nuk do të pranojë shantazhe politike
“Ne vazhdimisht kemi qenë në takime dhe kemi biseduar. Sa ka seriozitet kjo punë kur ka qëndrime të ndryshme? Në mesditë ka qenë komunikimi i fundit dhe ku e kam informuar se për PDK-në mund të kalojë ligji në leximin e dytë dhe pastaj të flasim për presidentin. Kësaj i thonë marrëveshje, a? Kësaj i thonë një ligj për çështje madhore, po ta votojë ky, është presidenti. Standarde të dyfishta. LDK-së i thonë s’ka mundësi të ketë president politik, ndërsa PDK-së i thotë s’ka mundësi të ketë president politik, ndërsa vetë propozon emra puro politikë. Për më tepër, këta emra janë që s’kanë kaluar se sa kohë dhe s’ka pasur marrëveshje dhe vendi ka shkuar në zgjedhje… Presidenti ka mundur të zgjidhet, por jo president pa marrëveshje. Jo: president, ky është emri, merre ose lëre. Pse s’ka qenë ky lloj bisede para tri apo dhjetë ditësh, dje, por sot paradite? Në orët e mbrëmjes është me gjet një adresë që pse s’po mund t’i kapë të gjitha institucionet”, tha Hamza.
