Kryetari i PDK-së Bedri Hamza sot në Uashington zhvilloi një takim me Charles McLaughlin, ndihmës special i presidentit Donald Trump dhe Mark Fleming, drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Në takim u diskutua mbi zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe për nevojën që institucionet e Kosovës të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe në një agjendë të qartë zhvillimi, raporton KosovaPress.
“I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane.
Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shkruar Hamza në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

