Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hamza nderon me homazhe Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorë të UÇK-së në Skenderaj

 
   

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë sot homazhe në varrezat e Marinës në Skenderaj, për të përkujtuar 27-vjetorin e rënies së komandantit Mujë Krasniqi dhe 41 dëshmorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hamza, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sakrifica e dëshmorëve është trashëguar brez pas brezi dhe se kjo ditë ka një domethënie të veçantë, pasi përkon edhe me përvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Në mëngjesin e 14 dhjetorit, ata ranë në rrugën e lirisë, duke e përjetësuar emrin e tyre në historinë e lavdishme të Kosovës.

Sakrifica e tyre është trashëguar brez pas brezi dhe në këtë ditë, që përkon edhe me përvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, nderimi për ta merr një kuptim edhe më të thellë.

Liria dhe shteti që gëzojmë sot janë ndërtuar mbi sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve tanë. Lavdi e përjetshme komandantit Mujë Krasniqi dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!”, shkroi i pari i PDK-së.

Njëherësh Hamza ishte i shoqëruar edhe nga ish kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ku ky i fundit shkroi në Facebook duke kujtuar se liria dhe shteti ynë janë ndërtuar mbi sakrificën e tyre të përjetshme.

“Në 27-vjetorin e rënies së komandantit Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve të UÇK-së, në ditën që përkon me themelimin Ushtrisë së Kosovës, kujtojmë se liria dhe shteti ynë janë ndërtuar mbi sakrificën e tyre të përjetshme. Lavdi e përjetshme”, shkroi Krasniqi.