Lajme

Hamza para takimit të kryesisë së PDK: Nuk kam pranuar ftesë nga Kurti

Në prag të nisjes së takimit të kryesisë dhe grupit parlamentar të PDK-së, kryetari i këtij subjekti politik, Bedri Hamza tha se nuk ka pranuar ndonjë ftesë për takim nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Jo, nuk ka ftesë”, ka thënë Hamza shkurtimisht.

Ai ka thënë se pritet që ditëve në vijim të mblidhet edhe Këshilli Drejtues i PDK-së dhe të diskutohen qëndrimet dhe pozicionet e tyre në raport me situatën politike në vend.

I pyetur nëse do të bënte kompromis për gjetjen e një zgjidhje për emërimin e një presidenti të ri, ai tha se duhet të flitet me organet e PDK-së.

 “Gjithçka çka flasim para diskutimit në organet e PDK-së nuk është e duhura për shkak se ato janë për ata me i diskutuar, t’i debatojmë, me marrë vendime dhe të qëndrojmë në ato vendime”, ka thënë ai.

Pas shpalljes së djeshme të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetëve të Kuvendit të Republikës iu dha 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Të Ngjashme