Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka qëndruar sot në Gjilan dhe në Viti, ku ka zhvilluar takime me kryesitë lokale të PDK-së dhe me asamblistë e drejtorë, në funksion të rritjes së mobilizimit dhe organizimit të brendshëm.
Bëhet e ditur se në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend.
Hamza theksoi se Qeveria Kurti po qëndron si spektatore, duke dështuar të marrë përgjegjësi për menaxhimin e situatës. Sipas tij, kjo qasje e papërgjegjshme po e shtyn vendin drejt një faze të re krize dhe paqëndrueshmërie.
Kreu i këtij subjekti politik bëri thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe anëtarësisë, duke theksuar se vetëm një PDK e fortë, e organizuar dhe e bashkuar mund ta udhëheqë vendin drejt stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit euroatlantik.
“Koha kërkon angazhim maksimal nga secili prej nesh. PDK duhet të jetë në çdo qytet, në çdo lagje dhe pranë çdo qytetari, si zëri dhe shpresa për ndryshim”, u shpreh Hamza.
Kreu i PDK-së paralajmëroi se në ditët dhe javët në vijim do të vazhdojë vizitat në strukturat e partisë anembanë Kosovës, me qëllim riorganizimin dhe rritjen e mobilizimit në çdo degë.
