Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hapet për qarkullim ura e re në Ibër, qytetarët e mirëpresin

 
   

Në orët e para të mëngjesit të së martës, masat e sigurisë u rritën.

Kjo pasi ura mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, është gati për t’u hapur.

Nuk vonoi shumë dhe këtu vjen ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Sapo gjithçka është gati, bëhet edhe hapja e urës së re mbi Ibër për qarkullim.

Ata që iu gëzuan më së shumti këtij lajmi janë qytetarët e dy komunave: Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut.

Sipas tyre, kjo urë është dashur të ndërtohej më herët.

Veturat dhe qytetarët vazhduan të lëvizin lirshëm.

Por në pjesën veriore, Policia e Kosovës vazhdon të qëndrojë.

Jo ata të njësive speciale, por ata të rendit.

Këtë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, kjo urë do të monitorohet nga ana e Policisë së Kosovës.

Për hapjen e urës shkroi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili uroi qytetarët dhe përgëzoi kompaninë për angazhimin që ai e quajti “shembullor”.

Qytetarët i uroi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ura u hap në ditën e 55-të prej kur nisi ndërtimi i saj.

Ndërkohë, punimet në urën tjetër po vazhdojnë.