
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për reagimin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, meqë Haradinaj ka thënë se AAK ka votë për kryetar të Kuvendit, nëse Vetëvendosje e propozon atë ose Shqipe Selimin.
Haradinaj ka thënë për T7 reagimi i Bogujevcit i është dukur i tepruar dhe ka thënë se AAK s’ka propozuar kandidat, por meqë VV ka kërkuar marrëveshje politike, ka përmendur dy emra të cilët AAK s’e ka problem që t’i votojë.
Kreu i AAK-së ka thënë se nëse do të ishte propozim që e bën partia e tij, do të propozonte deputeten Time Kadriaj.
“Reagim i tepruar mu duk. Na nuk e kem propozuar. Me qenë propozim i imi, shkon Timja, por meqë VV po kërkon marrëveshje politike, po lypë votë prej opozitës, ne po i themi në rregull dhe kërkojmë dikë që e kemi më të lehtë me e votue. Për Sarandën s’e kam problem me ia qitë votën, kuptohet edhe për Shqipen”, ka thënë Haradinaj.
Deputetja e VV’së, Saranda Bogujevci, ka reaguar dje pasi emri i saj u përmend nga AAK që nëse do të propozohej nga partia e saj si kryetare e Kuvendit do ta mbështesnin.
Bogujevci tha se ky propozim erdhi nga “ata që nuk e kanë të drejtën me propozu”.
Ajo tha se është “interesant” se si nga dikush që e përshkruan si “amatere” tash është personi i preferuar për pozitën e kryeparlamentares”.
“Është interesant ku dojnë me dërgu debatin dhe diskursin publik, duke u mundu me kriju një narrativë tek populli për veprimet e tona politike. Propozim nga ata që nuk e kanë të drejtën për me propozu, tek ata që dojnë me determinu rrjedhën e politikës tane, ama për vete mos me ju perzi kërkush e deri tek studiot televizive ku nuk lanë gjë të zezë pa thane deri dje, përfshi edhe kur thonin se si une jam amatere dhe nuk jam e denjë për me udhëheqë seancë e tash qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit. Shumë interesant”, shkruan Bogujevci në Facebook.
“Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash po get këta po dojnë me mendu me gjynah për pozicion. Se sa për vlerësim intelektual, profesional, të denjë politik dhe zotsillëkut të punës tane është zero”.
Bogujevci tha se s’mund t’i tregojnë partisë së saj se kush duhet me qenë në ulësen e kryetarit të Parlamentit, ndërsa tha se do të vazhdojnë ta mbështesin propozimin për Albulena Haxhiun.
“Nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës kur me votë e ka vendosë populli. Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim. Natën e mirë, shkoni pushoni e shihemi të mërkurën”.