Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka reaguar kryeministrit, Albin Kurti. Ai tha se në foltore doli për të demaskuar një mashtrim. Menjëherë këtu i reagoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu duke i kërkuar Haradinajt të ketë kujdes me fjalonin e përdorur.
“Kolegu që foli para meje këtu është që sa vjen në pushtet, mbanë përgjegjësi për çmimet, për vjedhjen që po na ndodhë në energji, për faturat që po na vijnë. Ky, qeveria e tij dhe ju, mbani përgjegjësi dhe nuk mund t’i ikni kësaj përgjegjësie në asnjë variant. As nuk mund të fshiheni pas këtij ligji tavan, as asgjë, se oligarkët tuaj kryeministër po shesin e po blejnë energji, e po ju shtohen kompanitë çdo ditë e më shumë njerëzve të afërt tuaj”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së vazhdoi kritikat për kryeministrin, duke përdorur edhe disa fjalë, për të cilat kryeparlamentarja ia ndali mikrofonin duke i thënë se po përdorë gjuhë të papërshtatshme parlamentare.
Haradinaj për pak kohë vazhdoi fjalën e tij pa mikrofon, derisa kryetarja i kërkoi atij ta lirojë foltoren e të ulej të vendin e tij prej deputeti.
