Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me projektin e Autostradës së Dukagjinit, duke theksuar se një ndër projektet më të rëndësishme zhvillimore për vendin është lënë në harresë prej se erdhi në pushtet Vetëvendosje.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj rikujtoi se ideja për ndërtimin e kësaj autostrade dhe projektimi i saj janë iniciuar gjatë kohës sa ai drejtonte Qeverinë, ndërsa me ardhjen në pushtet të Albin Kurti, sipas tij, projekti është ndalur dhe nuk është trajtuar më si prioritet.
Ai theksoi se largimi nga mbështetja financiare dhe mungesa e veprimeve konkrete për vite me radhë kanë bërë që ky projekt të mbetet në vendnumëro, duke humbur kohë dhe mundësi për zhvillim.
“Çdo projektim i përfunduar është bazë për investim, për ndërtim dhe për zhvillim konkret. Heqja e mbështetjes financiare nënkupton shtyrje të projektit, humbje kohe dhe humbje mundësish për qytetarët e Dukagjinit”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, Autostrada e Dukagjinit do të krijonte një korridor të rëndësishëm ekonomik, duke lidhur Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin, duke ulur kostot për bizneset dhe duke rritur investimet në këtë rajon.
Haradinaj kritikoi Qeverinë aktuale për mungesë vullneti për ta shtyrë përpara këtë projekt, duke thënë se, ndonëse flitet për zhvillim, në praktikë projekte të tilla mbeten jashtë vëmendjes institucionale.
