Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 27 vjetorin e Masakrës së Belegut ku mbetën të vrarë 49 shqiptarë.
Nga kjo masakër deri sot akoma janë të pagjetur 33 civilë kosovarë.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se ‘shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë’.
“Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë. E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, flijimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Sot në Beleg, ndamë dhimbjen me familjarët, të cilët edhe pas shumë vitesh vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre. Edhe pse të paarmatosur, ata u ekzekutuan pa mëshirë nga forcat serbe; gra, pleq e fëmijë.
Derisa dje kujtuam ditën e themelimit të Brigadës 137 “Gjakova”, sot bëmë homazhe në nderim të 14 bashkëluftëtarëve të rënë në Shishman të Bokës. Djem të zotë e luftëtarë të dalluar, disa prej të cilëve i njoha në frontet e luftës.
Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë. E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp.
Lavdi të rënëve për liri!
