Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një mesazh drejtuar diasporës kosovare, në prag të nisjes së periudhës së aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme.
Nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025, mërgimtarët kanë mundësi të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Në postimin e tij, Haradinaj vë në pah rolin historik të diasporës.
“Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni. E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë suaj për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.
Ai kujton sakrificat e brezave të mërgimtarëve, që nga koha e hershme e mërgimit e deri te angazhimi në luftën për liri.
“Mërgimi juaj nuk është thjesht histori largimi. Është histori sakrifice, për jetën, për lirinë…Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjëve të cilët Kosova e shqiptaria gjithmonë i nderoi”, ka shkruar tutje ai.
Haradinaj thekson se çdo brez i diasporës e ka mbajtur gjallë lidhjen me vendlindjen.
“Rrugëtimi juaj fillon te gjyshi, kalon te babai, te i biri, e sot te nipi që po rritet për ta dashur Kosovën si familja e tij”
Duke falënderuar mërgatën për kontributin e vazhdueshëm, ai nënvizon se vendi ka nevojë për zërin e tyre në procesin zgjedhor.
“Ju e doni Kosovën më shumë se sa fjalët mund ta tregojnë. Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj na duhen gjithmonë. Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja”, ka shkruar Haradinaj.

