Lajme

Haradinaj nga Gllogjani: Epilogu i luftës rezultoi me fitoren e shqiptarëve

Në 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka ndarë mirënjohje për kontributin e veçantë dhe meritat e jashtëzakonshme në avancimin e çështjes kombëtare, duke e dekoruar gjeneralin Kudusi Lama me medaljen “Me besim në Zot, atdhe e shtet”

Me këtë rast, Haradinaj tha se rrugëtimi drejt përballjes së armatosur me Serbinë kishte qenë i gjatë dhe i vështirë, duke përmendur sakrificat dhe ngjarjet që i paraprinë luftës së hapur.

“Kishte kaluar një kohë e gjatë në përpjekjet tona me mbërri te një organizim që një ditë të përballemi ballë për ballë me Serbinë. Këto përpjekje nuk shkuan me sukses. Ishte janari i dhimbshëm i Zahir Pajazitit, Hakifit, Edmondit, ngjarje të tjera; maji i ’97-ës i Luanit, vrasja e Ardian Krasniqit. Nuk kishte shkuar aq mirë lufta jonë. Në këtë rrugëtim tonin deri në përballjen e parë, Serbia e mori iniciativën, ne nuk arritëm përmes planeve tona. Pas disa përpjekjeve në Prekaz, pas Reçakut, ndodhi përballja në Prekaz, përballje e cila është vërtet unike dhe nuk ka tjetër, nuk krahasohet asgjë me këtë përballje. Qëndresa heroike e Adem Jasharit e familjes, e të gjithëve, dhe në flijimin e secilit është unike dhe e rrallë, dhe vërtet u kthye në një kushtrim për shqiptarët kudo që janë. Ishte rëndë për Gllogjanin se si do të shkonte përballja e radhës; Serbia e dinte kush jemi. Po të shkonte kjo përballje në dëm të UÇK-së, nuk ishte vetëm çka ndodhi me ne, por çka ndodhi me shqiptarët, si do shkojë më tutje kjo luftë. Epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve. Edhe pse tre nga ne u vranë, mirëpo rezultoi se shqiptarët e fituan këtë luftë”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se historia e luftës duhet të shërbejë jo vetëm si krenari, por edhe si mësim për brezat e rinj.

Të Ngjashme