Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj paralajmëron dobësim ekonomik dhe integrues pas zgjedhjeve

 
   

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerëson se rezultati i zgjedhjeve zgjidh ngërçin institucional, por nuk adreson shqetësimet themelore ekonomike dhe zhvillimore të qytetarëve, përfshirë krizën energjetike, rënien e investimeve kapitale, shtrenjtimin e jetesës, stagnimin e pagave dhe emigrimin e të rinjve. Ai paralajmëron dobësim të pozitës së Kosovës në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar, ndërsa njofton proces reflektimi dhe riorganizimi të brendshëm të AAK-së.

Haradinaj ka theksuar se gjatë fushatës zgjedhore AAK është përballur me ankesa të vazhdueshme të qytetarëve lidhur me kolapsin energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike – veçanërisht në raport me NATO-n – rënien e investimeve kapitale dhe lënien përgjysmë të projekteve të mëdha infrastrukturore.

Sipas tij, shtrenjtimi i kostos së jetesës, stagnimi i pagave dhe largimi masiv i të rinjve nga Kosova përbëjnë indikatorë shqetësues të gjendjes ekonomike, të cilët rrezikojnë stabilitetin afatmesëm të vendit dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj. Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme. Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tone”,ka shkruar Ramush Haradinaj në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se AAK do ta respektojë rezultatin zgjedhor dhe vullnetin e qytetarëve, ndërsa paralelisht do të nisë një proces reflektimi dhe riorganizimi të brendshëm, që pritet të përfundojë në pranverë me zgjedhje në të gjitha nivelet e partisë.

Në fund, Haradinaj ka falënderuar votuesit, aktivistët dhe partnerët politikë, duke ritheksuar angazhimin e AAK-së për Kosovën “pa asnjë kusht”.