Lajme

Harrison paralajmëroi rrezik të mundshëm nga Serbia në Kosovë: Ekspertët ngrenë shqetësimin për veprime hibride

Në një kohë kur Lindja e Mesme po përballet me një situatë gjithnjë e më të ndërlikuar të sigurisë, një deklaratë e fuqishme nga një figurë e njohur ushtarake ka ndezur debat dhe shqetësim rreth stabilitetit në Ballkan.

Jonathan Mark Harrison, britanik me përvojë gjatë luftës në Kosovë ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale duke paralajmëruar për një rrezik të mundshëm të përshkallëzimit ushtarak.

Në deklaratën e tij, Harrison nënvizon një kombinim faktorësh gjeopolitikë që, sipas tij, mund ta bëjnë tani kohën “më të përshtatshme për një agresion”, duke përmendur tensionet në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë, dhe mungesën e gatishmërisë së NATO-s për të reaguar shpejt në jug të Evropës.

Ai sugjeron se këto rrethana mund të krijojnë një hapësirë strategjike që, sipas tij, Serbia mund të përpiqet ta shfrytëzojë.

Harrison shpreh shqetësimin se vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është përqendruar diku tjetër, ndërsa sistemi i sigurisë në Kosovë mund të jetë relativisht i dajshëm të një sulmi të papritur.

Ai nënvizon rëndësinë që autoritetet lokale të mbajnë një vigjilencë të shtuar, duke bërë thirrje institucioneve të sigurisë në Kosovë që të jenë në gatishmëri të shtuar, duke përmendur Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-in, si dhe u drejtohet ish-pjesëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që të jenë të përgatitur “për çdo rast”.

Hoxha: Këtë thirrje dhe këtë kërkesë e bëj që prej vitit 2000

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish-ushtaraku Haifr Hoxha.

Image
Ish-ushtaraku Haifr Hoxha

Ai thotë se po ashtu ve ka bërë thirrje  për të përgatitur vetveten për luftë që nga viti 2000, por është injoruar.

“Këtë thirrje dhe këtë kërkesë e bëj që prej vitit 2000, që të përgatitemi për luftë, por kot e bëj, pasi ne u besojmë më shumë të huajve”, u shpreh ai.

Tutje ai shprehet se thirrja e Harrison mund të ketë jehonë, por nuk do të ndikojë, sepse politikanët tanë nuk e mbështesin.

“Thirrja e tij mund të ketë bërë më shumë jehonë, por nuk besoj se do të ketë efekt, sepse politikanët tanë nuk mendojnë kështu”, foli Hoxha për “Bota sot”.

Racaj: Rreziku i veprimeve hibride kërkon gatishmëri dhe koordinim institucional

Ndërsa, eksperti i sigurisë Muhamet Racaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Harrison-it ka kuptim emocional dhe solidar me Kosovën, por situata duhet analizuar me qetësi dhe bazuar në strategji konkrete.

Image
Eksperti i sigurisë Muhamet Racaj

Ai thekson se prania e NATO-s dhe lidhjet politike-ekonomike të Serbisë e bëjnë çdo sulm të hapur të papërshtatshëm dhe me kosto të lartë.

“Deklarata e britanikut Jonathan Mark Harrison, veteran i luftës në Kosovë, duhet parë në dy dimensione: emocional dhe strategjik. Si ish-pjesëmarrës në një konflikt që ka lënë gjurmë të thella historike, reagimi i tij është i kuptueshëm në aspektin emocional dhe solidar me Kosovën. Megjithatë, nga këndvështrimi profesional i sigurisë, situata kërkon analizë të ftohtë, të matur dhe të bazuar në indikatorë konkretë strategjikë.

Aktualisht, arkitektura e sigurisë në Kosovë mbështetet fuqishëm nga prania e NATO-s përmes misionit të KFOR-it, i cili përbën faktor kyç të parandalimit të çdo aventure të mundshme ushtarake. Çdo veprim i hapur ushtarak nga Serbia do të përbënte jo vetëm përballje me institucionet e sigurisë së Kosovës, por drejtpërdrejt me strukturat e Aleancës Veri-Atlantike, çka e rrit ndjeshëm koston politike, ushtarake dhe diplomatike për Beogradin.

Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, është e vërtetë se sistemi ndërkombëtar është nën presion të shumëfishtë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht se krijohet hapësirë për agresion klasik në Ballkan. Serbia, pavarësisht retorikës së saj politike dhe afërsisë me Rusia-n, operon në një realitet ku është e ndërlidhur ekonomikisht dhe politikisht me Bashkimin Evropian dhe është e vetëdijshme për pasojat e një përshkallëzimi të hapur ushtarak”, u shpreh ai.

Racaj vlerëson se rreziku aktual vjen më shumë nga veprime hibride si destabilizim politik, tensione ndëretnike dhe operacione informative, sesa nga një sulm ushtarak i hapur.

Ai potencon gjithashtu se përdorimi i forcës duhet të mbetet ekskluzivisht në dorë të institucioneve shtetërore, dhe çdo mobilizim jashtë strukturave zyrtare mund të jetë i dëmshëm dhe propagandistik.

“Rreziku real në situatën aktuale nuk duhet kërkuar domosdoshmërisht në formën e një invazioni klasik ushtarak, por më tepër në forma hibride të veprimit: destabilizim politik, nxitje tensionesh ndëretnike, operacione informative, luftë psikologjike dhe instrumentalizim të strukturave paralele në veri të Kosovës. Këto janë metoda me kosto më të ulët dhe me mohim të besueshëm,të cilat përputhen me praktikat bashkëkohore të ndikimit indirekt.

Sa i përket thirrjes drejtuar ish-pjesëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duhet theksuar qartë se në një shtet funksional dhe demokratik, monopoli i përdorimit të forcës i takon ekskluzivisht institucioneve shtetërore të sigurisë. Mobilizimi jashtë strukturave institucionale nuk është as i nevojshëm dhe as i dobishëm në këtë fazë. Përkundrazi, ai mund të krijojë perceptim destabilizues dhe të përdoret propagandistikisht nga aktorë armiqësorë”, shpjegon eksperti i sigurisë.

Në fund, Racaj përfundon që institucionet e Kosovës bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, dhe siguria mbështetet kryesisht te vigjilenca profesionale, jo alarmizmi publik.

Eksperti nënvizon se rreziku i një sulmi të drejtpërdrejtë nga Serbia është i ulët, por veprimet hibride mbeten reale, duke kërkuar gatishmëri institucionale, unitet politik dhe koordinim me aleatët.

“Institucionet e Kosovës – përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës – janë në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë. Çelësi i sigurisë aktuale është vigjilenca profesionale, jo alarmizmi publik.

Në përfundim, rreziku për një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak nga Serbia në këtë moment është relativisht i ulët, për shkak të pranisë së NATO-s dhe kostos së lartë ndërkombëtare që do të kishte një veprim i tillë. Megjithatë, rreziku i veprimeve hibride dhe destabilizuese mbetet real dhe kërkon gatishmëri të shtuar institucionale, unitet politik të brendshëm dhe koordinim të thelluar me aleatët strategjikë.

Kosova sot është në një pozitë shumë më të fortë sesa në të kaluarën, por në një mjedis global të fragmentuar, siguria nuk duhet marrë asnjëherë si e mirëqenë – ajo duhet menaxhuar me maturi, profesionalizëm dhe vizion strategjik”, përfundoi Racaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme