Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi lajm të mirë zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës për presidente të Kosovës, duke e parë në funksion të stabilitetit institucional.
Në ceremoninë për shënimin e Ditës së bashkimit të Gjermanisë, Haxhiu vuri në dukje se Shiroka-Pula është presidente e tretë grua e Kosovës.
Haxhiu: Vijmë në këtë festë me lajm të mirë, e zgjodhëm presidenten e re
“Sonte vijmë në këtë festë edhe me një lajm të mirë nga shtëpia jonë, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. E zgjodhëm presidenten e re të Republikës së Kosovës dhe tash do të kemi stabilitet institucional. Ndoshta edhe ambasadori gjerman nuk deshi që ta organizojë festën e ribashkimit të Gjermanisë më tre tetor, duke na pritur neve që ta zgjedhim presidenten e re.
Presidentja e re, znj. Justina Shiroka Pula, është presidentja e tretë grua, në fakt e katërta, nëse më llogarisni edhe mua si ushtruese detyre të presidentes që isha. Por edhe në kryesinë e Kuvendit, nga gjashtë sa jemi, katër janë gra: përveç meje si kryetare e Kuvendit dhe tri nënkryetare të Kuvendit, mes nesh edhe zonja Emilija Rexhepi”, u shpreh ajo.
Haxhiu tha se Gjermania është shembull për peshën që gratë kanë në udhëheqjen e vendit, ndërsa vuri në pah rëndësinë historike të bashkimit gjerman më 3 tetor 1990.
