Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas humbjes së Kosovës nga Turqia me rezultat 0:1 në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, duke theksuar se, pavarësisht rezultatit, paraqitja e ekipit ka rikthyer besimin tek qytetarët si rrallëherë më parë.
Në një postim publik, Haxhiu vlerësoi angazhimin e futbollistëve, duke nënvizuar se kjo humbje nuk e zbeh suksesin dhe përkushtimin e tyre në këtë rrugëtim.
“Sonte nuk ia dolëm, por kjo nuk e zvogëlon suksesin e lojtarëve tanë. Skuadra jonë na ka bërë të besojmë si rrallëherë më parë”, ka shkruar ajo.
Ajo shtoi se, megjithëse ndeshja ndaj Turqisë përfundon këtu, rrugëtimi i Kosovës vazhdon.
“Kjo ndeshje mbyllet këtu, por jo edhe rrugëtimi ynë. Luajtëm me zemër, luftuam së bashku dhe do të rikthehemi edhe më të fortë”, theksoi Haxhiu.
Në fund, ajo përçoi një mesazh motivues: “Kosova nuk ndalet.”
