Ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se KPK është e kapur nga grupe interesi.
“Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm.”
Ajo shton se reforma në KPK pritet të jetësohet në janar të vitit të ardhshëm.
“Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion. Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar.”
Haxhiu ka thënë se shumicës së anëtarëve i ka penguar kjo reformë.
“Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi.”

