Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Supreme, me të cilat kundërshton, siç ka thënë ai, shkelje të rënda ligjore që kanë deformuar rezultatin e zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu – i njohur si “Kamishi” – ka bërë të ditur se ankesat lidhen me pranimin e paligjshëm të 23.232 pakove me fletëvotime përmes postës pas përfundimit të afatit ligjor, si dhe me përllogaritjen e gabuar të mandateve për Kuvendin e Kosovës.
“Ky veprim ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe ka anashkaluar vullnetin e lirë të qytetarëve. Përmes një përllogaritjeje mekanike dhe të padrejtë, KQZ ka përmbysur renditjen reale të votave, duke shkelur parimin e barazisë së votës dhe duke cenuar të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur”, ka shkruar ai.
Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata Supreme që të veprojë me përgjegjësi institucionale dhe të mbrojë demokracinë, duke garantuar që çdo votë të ketë të njëjtën peshë dhe që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të pasqyrojë realisht vullnetin e qytetarëve.
“Jam i vendosur ta çoj këtë betejë deri në fund. Demokracia nuk mbrohet me heshtje, por me ligj, drejtësi dhe guxim institucional”, ka shkruar ai.