Ish-presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot ia ka dorëzuar detyrën Presidentes së zgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Përmes një postimi, Haxhiu ka thënë se detyrat shtetërore u besohen institucioneve për një periudhë të caktuar, por përgjegjësia ndaj vendit mbetet e përhershme.
“Detyrat shtetërore na besohen për një kohë, por përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme. Me këtë bindje, sot ia dorëzova detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pula”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shprehur mirënjohje për mundësinë që pati për t’i shërbyer Republikës së Kosovës edhe në këtë detyrë.
“Ndihem e nderuar që pata mundësinë t’i shërbej Republikës edhe në këtë detyrë. Mirënjohjen më të thellë e kam për njerëzit që më besuan dhe më pritën me ngrohtësi”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka theksuar se Presidentja e re e merr detyrën në një periudhë që, sipas saj, kërkon maturi politike dhe gatishmëri për bashkëpunim institucional.
Sipas saj, dallimet politike janë pjesë e demokracisë, por ato duhet të shërbejnë për debat dhe vendimmarrje më të mirë.
“Përgjegjësia jonë është të bëjmë që ato të shërbejnë për debat e vendime më të mira, duke ruajtur aftësinë për t’u marrë vesh për çështjet nga të cilat varet e ardhmja e Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, ajo i ka shprehur urimet e saj Presidentes Justina Shiroka-Pula, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim institucional.
“Suksesi në përmbushjen e përgjegjësive të saj do t’i shërbejë Kosovës, forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare dhe besimit të qytetarëve në shtetin e tyre”, ka përfunduar Haxhiu.
