Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar në 25-vjetorin e rënies çlirimtarin e tri luftërave, Tahir Sinani.
“Në Divjakë stërviti djem që kurrë nuk kishin mbajtur pushkë në dorë dhe i priu Njësisë Speciale ‘Arbëri’ në aksionet e para. Më pas, në krye të Zonës Operative të Pashtrikut, dha kontribut vendimtar në Operacionin ‘Shigjeta’. Ishte komandant që nuk fliste shumë, por që qëndronte i pari në vijë dhe i fundit që tërhiqej. Pas çlirimit nuk u ndal. E vazhdoi rrugën e tij prej çlirimtari, duke kontribuar fillimisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), e më pas si komandant i Brigadës 116 ‘Xhemë Gostivari’ të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka deklaruar se në secilën prej tri luftërave, Sinani ishte në vijën e parë dhe kurrë nuk kërkoi të kursehej.
Haxhiu më tej ka theksuar i se ai la pas shembullin e një komandanti të vendosur, strategu të aftë dhe luftëtari të palëkundur, i cili ia kushtoi jetën idealit të lirisë dhe bashkimit kombëtar.
