Lajme

Haxhiu: Presim vendimin e Kushtetueses, do të bëjmë gjithçka për të shmangur zgjedhjet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një deklaratë për media ka folur lidhur me pritjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të pritet vendimi apo njoftimi i Kushtetueses, duke kujtuar praktikat e mëhershme të këtij institucioni.

“Është shumë e rëndësishme që të pritet vendimi, njoftimi apo aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse siç e dimë nga e kaluara, fillimisht ka pasur njoftim nga Gjykata dhe pastaj është nxjerrë aktgjykimi,” u shpreh Haxhiu.

Ajo bëri të ditur se afati i dhënë për këtë vendim është deri më 31 mars, duke shtuar se shpreson që vendimi të merret sa më shpejt.

Afati i dhënë është 31 marsi dhe uroj që sa më parë të kemi një vendim. Kurdo që të dalë ai vendim, është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë tona,” tha ajo.

Haxhiu theksoi se si kryetare e Kuvendit do të angazhohet maksimalisht për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Unë si kryetare e Kuvendit do të bëj gjithçka që është në dorën time që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme,” deklaroi ajo.

Tutje, ajo nënvizoi rëndësinë e arritjes së një qëndrimi të përbashkët politik dhe bashkëpunimit ndërmjet partive.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjejmë një rrugë të përbashkët dhe të kemi një qëndrim të përafërt, sidomos në raport me zgjedhjen e presidentit,” tha Haxhiu.

Sipas saj, ka shenja të vullnetit politik për bashkëpunim, duke përmendur edhe ftesat e bëra nga kryeministri Albin Kurti ndaj partive politike.

“Me atë që kemi parë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ftesat e bëra nga z. Kurti, ekziston një shprehje interesi dhe vullneti. Ky vullnet është i rëndësishëm, pasi kemi shumë punë për të bërë dhe nuk është moment për inate politike,” u shpreh ajo.

Në fund, Haxhiu shtoi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet më e qartë rruga që duhet ndjekur.

“Uroj që sapo të dalë vendimi i Gjykatës, të shohim se çfarë do të thotë ai dhe si duhet të veprojmë më tutje,” përfundoi ajo.

Të Ngjashme