Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haxhiu: Që në 2018 paralajmëruam për rrezikun e emërimit të Radomir Llabanit në Kushtetuese

 
   

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka rikujtuar se emërimi i gjyqtarit Radomir Llaban në Gjykatën Kushtetuese ishte kundërshtuar nga ajo dhe bashkëpartiakët e saj qysh në vitin 2018.

Sipas Haxhiut, pavarësisht paralajmërimeve të asaj kohe për të kaluarën kriminale të Llabanit, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte vendosur ta dekretonte atë si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo ka sqaruar se, duke qenë se procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses nis me propozimin e dy të tretave të vetë gjyqtarëve dhe finalizohet nga Presidenti, i ishin drejtuar zyrtarisht Kryetares së atëhershme të Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, me kërkesën për fillimin e procedurave për shkarkimin e Llabanit, por që kjo sipas Haxhiut ishte konsideruar si ndërhyrje në pavarësinë e Kushtetueses. 

Postimi i plotë:

Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.

Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre”.