Lajme

Haxhiu reagon pas kërkesës për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së: Ky është shtrembërim i historisë

Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherit nënkryetarja në detyrë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për 45 vjet burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu e ka konsideruar këtë si një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës, duke theksuar se nuk ka të bëjë me drejtësi, por me një ndëshkim politik dhe selektiv.

Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo kujton krimet e Serbisë gjatë luftës, duke theksuar se masakrat, përdhunimet dhe dëbimet masive janë të dokumentuara dhe dëshmuara ndërkombëtarisht, ndërsa agresori nuk është përballur kurrë me drejtësinë.

Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë”, tha ish-ministrja.

Haxhiu përfundon me një mesazh të fortë për rolin e drejtuesve të UÇK-së.

“Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, tha Haxhiu,

Reagimi i ish-ministres vjen ndërkohë që gjykimi në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së është në fazën përmbyllëse.

Të Ngjashme