
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka komentuar vendimet e sotme të qeverisë sa i përket rritjes së shtesave për lehonat dhe pagave të shërbyesve civilë. Haziri deklaroi se “po i vjen era fushatë” dhe siç u shpreh ai, është “irrituese” dhe “e neveritshme”.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka marr vendim për rritjen e shtesave për lehonat e papunësuara nga njëqindeshtatëdhjetë (170) sa ishte për gjashtë muaj në treqindenjëzetepesë (325.9) euro. Ndërsa, për lehonat e punësuara përveç pagesës prej shtatëdhjetë (70%) për qind për 6 muaj nga punëdhënësi ato do të mbështeten për tre muajt e parë pas lindjes me treqindenëntëmbëdhjetë (319.5) euro.
Haziri tha se vendime të tilla nuk janë në frymën kushtetuese.
“Ky është problem sistemor që po e përcjell këtë qeveri në dy standarde, në dy binar, edhe deputetë edhe ministra, nuk është e drejtë, nuk është në frymën kushtetuese dhe vërtet sjellja e vendimeve të tilla pavarësisht në çfarë raporte dhe për çfarë arsye apo motivi, që po dihet çfarë është, i vjen era fushatë. Në njërën anë me hy në fushatë në zgjedhje lokale e në njërën anë mos të kesh mundësi që të menaxhosh suksesin për ndërtimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, është diçka që po lexohet drejtë. Është irrituese, është e neveritshme edhe për mua edhe për neve edhe për qytetarët si avokati Koci që del këtu dhe kërkon të implementohen zgjedhjet e 9 shkurtit”, deklaroi Haziri pas dështimit të 27-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Ai foli edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, për çka tha se ky nuk është opsioni që i zgjidh problemet.
“Nuk është opsioni i zgjedhjeve që i zgjidh problemet në këtë vend. Dhe, natyrisht duhet të bëhen përpjekje maksimale që me gjet një zgjidhje politike dhe të konstituohet Kuvendi, organet e Republikës edhe me u marrë mandati për qeveri. Kjo është ajo që krejt presim me ndodhë dhe kjo është mandat. Është e pafuqishme sot edhe partia politike edhe te deputeti që të ndikojë tek partia e parë e cila po punon ditën me procedurë si sot, e kënaq formën procedurale ndërsa në mbrëmje nuk po arrin sukses me i bind liderët politik por edhe deputetët fundja që të mbërrijë një shumicë për Kuvend edhe për qeveri”, shtoi ai.
Ai foli edhe sa i përket mbajtjes së seancës brenda 24 orëve.
“Me më pyet mua nuk dilet prej Kuvendit pa e zgjedh [kryetarin], sepse mundemi të qëndrojmë në sallë 24 orë – 48 orë pa shkuar jashtë derisa të zgjidhet. Zotëri Dehari e ka ndërruar standardin për ta kënaqur formën, por pa rezultat, ky është problemi. Ata po e shohin formën e jo rezultatin. Partia e parë po punon për formë, për procedurë e jo për rezultat e për marrëveshje politike… Marrëveshja politike është e vetmja mundësi për ta debllokuar, domosdoshmërisht duhet të mbërrihet një marrëveshje politike sepse procedura është dëshmuar tash e 60 ditë, procedura nuk e zgjedh problemin”, përfundoi.