Lajme

Hekuran Murati: Lajmet e rreme nuk kalojnë, procesi për presidentin ka afat 60 ditë sipas Kushtetutës së Kosovës

Hekuran Murati ka reaguar ndaj një raportimi mediatik, duke e quajtur atë lajm të rremë dhe dezinformim.

Murati sqaroi se pretendimi i portalit do të ishte i saktë vetëm nëse procesi i zgjedhjes së presidentit do të kishte kaluar tre rundet e votimit sipas nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës dhe asnjë kandidat nuk do t’i merrte 61 vota.

Sipas tij, aktualisht vendi nuk ndodhet në atë situatë, pasi procedura është në kuadër të nenit 82, i cili parasheh 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit nga nisja e procedurës.

Postimi i plotë:

Lajmet e rreme nuk kalojnë!

Pretendimi i portalit do të qëndronte nëse procesi i zgjedhjes së Presidentit do të konsumohej sipas paragrafit 6 të nenit 86 të Kushtetutës, dhe në rast të dështimit të zgjedhjes edhe pas rundit të 3-të, vendi patjetër që do të shkonte në zgjedhje ashtu siç kam thënë me 25 dhjetor 2025.

Mirëpo e vërteta është se aktualisht nuk jemi në situatën që përshkruhet në paragrafin 6 të nenit 86, pra nuk janë konsumuar 3 runde votimi ku askush nuk i ka marrë 61 vota.

Në fakt, tash jemi tek paragrafi 1.3 i nenit 82 të Kushtetutës. Pra, janë 60 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin që nga nisja e procedurës.

Kaq e thjeshtë është kjo. Por kur mision i portalit është dezinformimi, atëherë edhe gjërat e thjeshta u lidhen nyje.

Të Ngjashme