Sipas astrologes Meri Gjini, kjo javë ka nisur me një hyrje shumë të bukur të Diellit me planetin e fatit. Më datë 17, rreth orës 22:00, kemi Hënën e Re të fundit të pranverës, e cila sjell një energji shumë të fortë dhe pozitive.
Kjo Hënë mund ta bëjë trurin hiperaktiv, por mund të sjellë edhe një lloj përtese fizike; prandaj rekomandohet që t’i shkruani planet tuaja për të mbyllur me sukses projektet e pranverës. Favorizohen të gjitha shenjat, me fokus te siguria e familjes, shtëpisë dhe kujdesi për trupin.
Parashikimi për secilën shenjë:
Dashi
Dashi po mbyll hapat e fundit në axhendën e tij profesionale. Është një moment shumë i mirë për shitje, blerje ose shkëmbime ekonomike. Gjithashtu, kjo Hënë e Re i nxit të merren seriozisht me jetën e tyre personale dhe të marrin vendime të rëndësishme emocionale.
Demi
Me Hënën e Re në shenjën e tyre, Demat po hyjnë në një periudhë shumë të qëndrueshme. Planet afatgjata nuk do t’i trazojë më askush. Fokusimi do të jetë te shtëpia, zgjerimi familjar dhe rregullimi i ambientit ku jetojnë. Priten edhe fillime të reja në punë, bazuar në marrëveshje të bëra më parë, të cilat do të sjellin stabilitet.
Binjakët
Ndryshimi ka filluar të ndihet, sidomos për të lindurit e ditëve të para të shenjës. Binjakët janë në një fazë kreativiteti të lartë. Hëna e Re do të shërbejë për korrigjimin e raporteve njerëzore dhe shoqërore që kanë qenë të paqarta. Deri të dielën do të marrin përgjigje për keqkuptimet emocionale, duke e nisur javën tjetër me buzëqeshje.
Gaforrja
Edhe pse të lodhur nga Marsi te Dashi, Gaforret do të gjejnë stabilitet dhe vetëbesim me kalimin e Marsit te Demi. Humori i tyre do të jetë në nivele të larta. Lodhja e 45 ditëve të fundit do të shpërblehet me vlerësime maksimale, sidomos në profesione kreative, media, arkitekturë apo shëndetësi. Statusi i tyre profesional do të jetë shumë më lart nga çfarë kishin parashikuar.
Luani
Për Luanët, kjo periudhë favorizon iniciativat dhe marrëveshjet përfundimtare për planet e tyre. Sot dhe nesër janë ditë shumë të mira për shkëmbime ekonomike dhe marrjen e borxheve apo parave që presin. Hëna e Re i nxit të merren me zbukurimin e vetes dhe dietat, edhe pse mund të ndihen pak dembelë. Miqtë do t’i mbështesin fuqishëm në çdo vendim.
Virgjëresha
Marsi te Demi sjell një periudhë pa të papritura të pakëndshme. Virgjëreshat duhet të shfrytëzojnë fundjavën për pak çlodhje. Hëna e Re do t’u japë qetësi në raport me familjarët, veçanërisht me nënën. Tani do të kenë mundësi të fokusohen te gjërat e tyre, pa u shpërqendruar nga nevojat e të tjerëve.
Peshorja
Të lindurit në fund të shenjës do të kenë surpriza shumë të mira dhe informacione të rëndësishme për marrëveshje praktike. Atmosfera në punë dhe në shtëpi do të jetë shumë e ngrohtë, produktive dhe komode. Është një moment ku do të ndihen vërtet “rehat”.
Akrepi
Hëna e Re përballë tyre nxjerr në pah prioritetet në çift dhe familje. Kjo periudhë do të shërbejë për sheshimin e keqkuptimeve dhe përplasjeve të mëparshme, duke sjellë një qetësi që do të zgjasë deri në gusht. Në punë duhet të bëjnë kujdes: mos nxitoni për të fituar kohë, pasi “rruga e shkurtër mund të dalë më e gjatë”.
Shigjetari
Shigjetarët po shijojnë ndryshime që kanë nisur prej kohësh. Hëna e Re i ndihmon të ruajnë ekuilibrin dhe të mos nxitojnë, duke ulur mundësinë për gabime. Ky vit do të rezultojë jashtëzakonisht i mirë për karrierën e tyre, madje edhe për ata që do të ndryshojnë tërësisht fushën e veprimtarisë.
Bricjapi
Për Bricjapët, kjo është një Hënë komode që sjell stabilitet në ekonomi dhe qetësi në familje. Problematikat familjare të tre javëve të fundit do të gjejnë zgjidhje. Vendimet e reja në jetën personale do të jenë të duhura dhe rezistente ndaj kohës.
Ujori
Ujorët do të kenë një fuqi të madhe për të qenë diplomatikë dhe etikë në ndërveprime. Ndërsa të lindurit në ditët e para janë duke bërë lëvizje të mëdha, të tjerët do të ndiejnë ndikimin e shpejtë të Uranit shumë shpejt. Kjo Hënë do t’i shtyjë të merren me arredimin e shtëpisë ose rregullimin e ambienteve për fëmijët e tyre.
Peshqit
Peshqit duhet të mësojnë të jenë më praktikë dhe racionalë, duke e parë gotën gjysmë plot. Rekomandohet t’i shkruajnë idetë e tyre që të mos i harrojnë dhe t’i realizojnë hap pas hapi. Vendime të rëndësishme në raporte jete po vijnë; është vetëm çështje ditësh që dëshirat e tyre të marrin formë.
/vizionplus.tv
