Lajme

Heqja e masave, Hamza: Vendim i vonuar – për Evropën problemi ka qenë Serbia, jo Kosova!

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se heqja e masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës është një vendim i vonuar, megjithatë i mirëpritur.

Sipas Hamzës, këto masa u vendosën si pasojë e tensioneve dhe moskoordinimit politik të Qeverisë me aleatët, por që, siç tha ai, as progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit, por përmes partneritetit dhe bashkëpunimit.

Tutje, i pari i PDK-së, përmes një postimi në Facebook tha se për Evropën, problemi historikisht ka qenë Serbia dhe jo Kosova.

Kosova është pjesë e forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. Për rrjedhojë, këto masa ndëshkuese kanë prekur padrejtësisht qytetarët, ekonominë dhe perspektivën tonë evropiane. Qytetarët tanë nuk do të duhej të ndëshkoheshin për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë”, ka shkruar ai.

“Si vendi me qytetarët më proevropianë në Ballkanin Perëndimor, Kosova meriton trajtim të drejtë, mbështetje të plotë dhe një rrugë të qartë drejt integrimit evropian, pa pengesa që e vonojnë këtë proces”.

Të Ngjashme