Qeveria e Republikës së Kosovës ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj vendit, duke e cilësuar këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm dhe të vonuar, pasi, sipas saj, masat ishin vendosur padrejtësisht.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mirëpriti njoftimin e bërë nga Komisioni Evropian, duke theksuar se ky vendim krijon një momentum të ri për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Në një reagim publik, Konjufca bëri të ditur se të gjitha masat e BE-së ndaj Kosovës janë hequr dhe se ndihma financiare e pezulluar më herët tashmë është liruar. Ai nënvizoi se ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe në përshpejtimin e reformave të nevojshme.
Komunikata e plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndeti hapin e ndërmarrë nga Bashkimi Evropian për heqjen e plotë të masave ndëshkuese, të cilat i ishin vendosur padrejtësisht Kosovës.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mirëpriti njoftimin e Komisionit Evropian dhe theksoi se tani duhet lëvizur në rrugën drejt anëtarësimit.
“E mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni Evropian në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian: të gjitha masat e BE-së ndaj Kosovës janë hequr dhe e gjithë ndihma financiare që ishte pezulluar më parë është liruar. Presim që kjo të hapë një fazë të re të angazhimit konstruktiv dhe progresit konkret në rrugën tonë drejt BE-së”, shkroi në X, zëvendëskryeministri Konjufca.
