Të shtunën, më 31 janar, pritet të mbahet Kuvendi zgjedhor partiak i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një proces që vjen në një moment delikat për partinë dhe që pritet të përcaktojë fatin politik të kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, përmes një vendimi për votëbesim apo dorëheqje të mundshme.
Megjithatë, Kuvendi po paraprihet nga tensione të brendshme dhe akuza për përjashtime selektive të delegatëve. Sipas raportimeve në media, një numër delegatësh nga dega e Mitrovicës janë përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvend, mes tyre edhe Armend Agolli, kandidat për kryetar të komunës, i cili ka reaguar publikisht ndaj këtij vendimi.
Agolli ka deklaruar se ai dhe disa delegatë të tjerë janë përjashtuar pa asnjë arsyetim zyrtar dhe pa kritere të qarta, duke akuzuar strukturat partiake për mungesë totale transparence në përzgjedhjen e pjesëmarrësve në Kuvend. Sipas tij, këto veprime jo vetëm që e cenojnë procesin demokratik të brendshëm, por rrezikojnë edhe legjitimitetin e vendimmarrjes që do të merret.
“Kur delegatët përjashtohen pa kritere të qarta dhe pa transparencë, rrezikohet legjitimiteti i Kuvendit dhe besimi i anëtarëve në institucionet e partisë,” ka theksuar Agolli.
Deri më tani, as struktura qendrore e LDK-së dhe as ajo lokale nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza. Heshtja institucionale ka shtuar edhe më shumë dyshimet për mënyrën se si po menaxhohet ky proces dhe ka ngritur shqetësime se Kuvendi i së shtunës mund të shndërrohet në një tjetër moment përçarjeje publike për LDK-në, me rrezik real për thellimin e ndarjeve të brendshme në parti.
Atmosfera jodemokratike në LDK
Analisti Nexhmedin Spahiu, shpreson të mos shndërrohet kuvendi i LDK-së në një skenë tjetër përçarjeje publiku dhe të rezultojë në një ndarje të LDK-së mes klaneve.
Sipas tij, përjashtimi i Agollut krijon një atmosferë jodemokratike në LDK.
“Shpresoj të mos jetë ashtu, shpresoj që ky Kuvend të mos të shndërrohet në një skenë tjetër përçarjeje publike dhe të rezultojë kuvendi i 31 janarit në një ndarje të LDK-së mes klaneve . Përjashtimi i Armend Agollit nga delegat i Kuvendit është diçkaje paprecedent. Është kërcënim për të gjithë ata që janë kundër kryetarit aktual. Kjo krijon atmosferë jodemokratike në LDK”, thotë Spahiu për “Bota sot”.

Nexhmedin Spahiu
Gjersa pritet të vendoset rreth dorëheqjes së Abdixhikut, bashkëpartiaku i tij, Avdullah Hoti, ka shprehur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së, ai ka bërë zotimin e tij rreth udhëheqjes së partisë dhe kjo ishte mirëpritur edhe nga Abdixhiku, i cili kishte deklaruar se LDK “nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara”, duke nënvizuar se vendimet në parti janë marrë gjithmonë në Kuvend, hapur, me debat dhe me shumicë votash.
“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo”, kishte shkruar Abdixhikun në Facebook.
Statuti i LDK-së dhe mundësia e ndërrimit të delegatit
Ndërsa, analisti Leon Duhanaj, tregon rreth statutit të LDK-së dhe zbulon sesi mund të zëvendësohet një delegat në LDK.
“Në kuadër të secilës parti politike ekziston një statut, mbi të cilin ndërtohen rregullat e funksionimit dhe të vendimmarrjes. Një statut të tillë e ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas statutit të LDK-së, çdo delegat i Kuvendit gëzon mandat të vlefshëm nga një Kuvend zgjedhor deri në mbajtjen e Kuvendit të radhës. Ky mandat mund të ndryshojë vetëm në rrethana të caktuara dhe të përcaktuara qartë: nëse partia ka organizuar zgjedhje të reja në të gjitha strukturat e saj dhe janë zgjedhur delegatë të rinj; nëse delegati zëvendësohet për shkaqe objektive, si mungesa fizike e vazhdueshme; në rast dorëheqjeje; ose nëse ai ka ndërprerë aktivitetin partiak, për shembull duke kaluar në një subjekt tjetër politik”, deklaron Duhanaj.

Leon Duhanaj
Por, sipas tij, fatkeqësisht tashmë në LDK është parë se gjithçka është e mundur..
Duhanaj përmend shembull sesi mund të bëhet ndërrimi arbitrar i delegatëve.
“ Në raste të tilla, nëndega apo dega përkatëse, me pëlqimin e Kryesisë, ka të drejtë ta zëvendësojë delegatin. Mirëpo, nëse delegati ka qenë dhe vazhdon të mbetet aktiv në LDK, askush nuk ka autoritet ligjor apo statutor ta zëvendësojë në mënyrë arbitrare. Nëse ndodhin veprime të tilla, atëherë në prapavijë mund të fshihen plane për përçarje apo ndarje të reja brenda partisë. Në LDK, fatkeqësisht, tashmë është parë se gjithçka është e mundur. Së fundmi, në një mbledhje të Kryesisë u pa edhe ish-kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, z. Tahiri, i cili gjatë zgjedhjeve lokale ishte rreshtuar hapur në krah të kryeministrit Kurti. Nëse një subjekt politik lejon që persona të tillë të jenë sërish anëtarë të barabartë të Kryesisë, atëherë nuk është e largët as mundësia e ndërrimit arbitrar të delegatëve. Kjo metodë është përdorur edhe më herët nga z. Kurti, konkretisht në zgjedhjet e brendshme të vitit 2015, kur u ndryshua shumica e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’i realizuar ndryshimet e synuara përmes imponimit”, përfundon Duhanaj.
Kujtojmë se historikisht, LDK-ja si parti e madhe politike në Kosovë ka kaluar nëpër procese të brendshme tensionuese, sidomos gjatë periudhave të zgjedhjeve të brendshme të degëve dhe zgjedhjes së udhëheqjes. Këto ngjarje, përfshirë përleshjet fizike dhe hedhjen e karrigeve në kuvende, ndodhën në periudha ku interesat e fraksioneve brenda partisë ishin të përplasura fuqishëm: Qershor 2019 – përleshje fizike dhe hedhje karrigesh në kuvende degësh. 2006 (pas Rugovës) – konflikt serioz në Kuvendin Kombëtar me hedhje karrigesh (dokumente të huaja). Degët lokale (p.sh. Pejë) – incidente dhe raporte lokale për konflikte me objekte.
