Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoti: Kosova s’ka qenë kurrë më keq

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka renditur disa arsye pse sipas tij, Kosova nuk ka qenë kurrë më keq.

Ai ka thënë se vendi nuk ka qenë asnjëherë më keq në politikën e brendshme e të jashtme.

Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova kurrë nuk ka pasur sanksione dhe kurrë nuk i ka pasur të cenuara raportet me aleatët.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë kontrata njëburimore për projekte kapitale. Kurrë nuk ka qenë më keq gjendja me investime kapitale në rrugë e në projekte të tjera. Kurrë nuk ka qenë më i dobët bashkëpunimi i Qeverisë me komunat. Kurrë nuk ka qenë më i keq bashkëpunimi mes Qeverisë dhe sindikatave e shoqërisë civile. Kurrë nuk ka qenë më e mbyllur e më linçuese Qeveria ndaj mediave”, ka shkruar ai.

Hoti ka shkruar se më herët kurrë nuk janë sulmuar deputetët e opozitës në parlament nga Qeveria.

Sipas tij, asnjëherë nuk janë mbyllur spitalet rajonale apo klinikat e QKUK-së për operacione të pacientëve.

“Kurrë nuk ka qenë gjendja më keq në komunat në veri se tani. Si rezultat, kurrë më shumë qytetarë nuk kanë emigruar se në këto dy vite (përveç gjatë viteve të 1990-ta). Kurrë më shumë qytetarë sesa tani nuk kanë shprehur gatishmëri për të emigruar: 57% e qytetarëve duan të emigrojnë”, ka thënë ai.