Lajme

Hoti kujton sakrificën e familjes Jashari dhe 59 dëshmorëve të Prekazit

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe 59 dëshmorëve të rënë në Prekaz gjatë Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rikujtuar rezistencën dhe historinë e rrethimeve të kësaj familjeje nga forcat serbe.

Ai ka bërë të ditur se në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, nënkryetarin e parë të Kuvendit Ardian Gola, kabinetin qeveritar dhe deputetë të Kuvendit, kanë bërë homazhe në nderim të të rënëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998.

“Sakrifica sublime e Familjes Jashari nuk erdhi rastësisht, të gjithë e kishin ndarë mendjen që luftën për liri ta vazhdojnë me çdo çmim”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kujtuar se për shkak të aktiviteteve patriotike gjatë viteve ’90, familja Jashari kishte rënë në sy të regjimit serb dhe ishte përballur me disa rrethime nga forcat serbe.

“S’kemi ku me shku ne, këtu do ta bëjmë vdekjen. Këtu ku të parët tonë kanë jetuar në shekuj, prej ilirëve e pellazgëve, këtu edhe ne do ta bëjmë vdekjen. Kurrë nuk do ta lëshojmë këtu. Do t’i përgjigjemi aq sa kemi mundësi”, ka cituar Hoti fjalët e Hamëz Jasharit.

Ai ka potencuar se rrethimi i tretë ndaj Kullës së familjes Jashari nisi më 5 mars 1998, kur Prekazi u rrethua me artileri të rëndë dhe forca të shumta serbe, ndërsa për tri ditë me radhë rezistenca nuk pushoi.

Hoti ka njoftuar se aktivitetet për Epopenë e UÇK-së përmbyllen më 7 mars me “Natën e Zjarreve në Prekaz”, ndezjen e flakadanëve në shtatë rajonet e Kosovës dhe program artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. “Lavdi Familjes Jashari, lavdi 59 dëshmorëve të rënë në Prekaz.

Të Ngjashme