
Analisti Ylli Hoxha, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se nuk ka pasur një rast real për gjykatë dhe se përgjigjja e dhënë është adekuate, por jo e guximshme.
“Meqë nuk ka pasur rast, nuk ka edhe ndonjë përgjigje të madhe. Gjykata ka mundur të jetë më e guximshme dhe të bëjë një gjë që ia ka borxh Kosovës: të ndryshojë gjendjen në interpretimin e zotit Hasani të vitit 2014, më duket. Por nuk ka pasur guxim ta bëjë atë punë, në të cilën kryetari i përket vetëm të parit dhe bllokohemi në atë, dhe është një interpretim krejtësisht bllokues dhe i palogjikshëm,” ka theksuar Hoxha në DebatPlus.
Ai ka folur edhe për situata hipotetike ku Lista Serbe, nëse do të merrte 30% të votave dhe pjesa tjetër nuk dëshiron të bashkëpunojë, atëherë sipas tij, sistemi do të bllokohej.
“Ky është një formulim i palogjikshëm, të cilin është dashur ta ndryshojë Gjykata Kushtetuese, por për këtë është dashur të jenë trima… Ata njerëz është dashur të jenë të guximshëm,” ka shtuar Hoxha.
Në fund, ai ka kritikuar interpretimin aktual si të pamjaftueshëm dhe të munguar në guxim.
“Ky interpretim është krejtësisht i paguximshëm, i cili vetëm ka bërë disa gjëra sipërfaqësore, por ato janë të pamundshme për t’u futur nën tapet. Domethënë, nuk ka pasur guxim – është dashur të ketë guxim për të riinterpretuar gjendjen,” ka përfunduar analisti.