
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se institucioni që ai drejton nuk do të lejojë asnjë formë të tejkalimit të autorizimeve policore.
Duke iu referuar rastit të ndjeshëm të vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili u arrestua gjatë një ndërhyrjeje policore në Lipjan dhe më pas humbi jetën, Hoxha theksoi nevojën për një hetim të plotë dhe të paanshëm.
“Ju garantoj se nuk do të tolerojmë çfarëdo forme eventuale të tejkalimit të autorizimeve policore. Andaj, kërkoj fuqishëm që Inspektorati i Policisë së Kosovës, hetimet tona të brendshme dhe institucionet e tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike”, u shpreh ai.
Hoxha premtoi se do të veprohet në përputhje me ligjin dhe pa asnjë kompromis ndaj përgjegjësisë institucionale.
“Oficerët tanë hetues janë urdhëruar të bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor për të siguruar një pasqyrë të saktë të këtij rasti fatkeq. Nga pozita e drejtorit, do të ndërmarr çdo veprim të nevojshëm ligjor, bazuar në epilogun e një hetimi të plotë”, theksoi ai.
Në fund të fjalimit, drejtori Hoxha shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit Agon Zejnullahu, duke premtuar se rasti do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe transparencë të plotë institucionale.
Kjo deklaratë u bë gjatë ceremonisë së diplomimit të 279 kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës, ku ai foli përkushtueshëm për rëndësinë e integritetit profesional dhe ligjshmërisë në kryerjen e detyrave policore.