Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoxha “shkund” LDK-në: Sulmet ndaj Kurtit shkaktuan katastrofën e dyfishtë të votave!

 
   

Hafir Hoxha ka reaguar lidhur me rezultatin dhe qasjen politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke vlerësuar se kjo parti do të kishte dyfish më shumë vota po të ishte fokusuar në ndërtimin e një alternative serioze politike, e jo në sulme të vazhdueshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Ai thekson se mungesa e energjisë pozitive, kritikat pa argumente dhe gjuha përçarëse kanë qenë në kundërshtim me frymën dhe profilin tradicional të votuesit të LDK-së, përcjell “Bota sot”.

Në reagimin e tij në Facebook, Hoxha nënvizon se politika fitohet me besueshmëri, ide të qarta dhe përgjegjësi publike, duke shtuar se votuesi i LDK-së karakterizohet nga morali, etika politike dhe ndjenja e drejtësisë, e jo nga përçarja, interesat klanore apo përfitimet personale.

Postimi i plotë

LDK do të kishte sot dyfish më shumë vota, po të ishte marrë më shumë me vetëveten dhe me ndërtimin e një alternative serioze politike, sesa me sulme të vazhdueshme ndaj VV-së dhe Albin Kurtit gjatë mandatit të kaluar.

Një opozitë e pjekur do të duhej të tregonte energji pozitive, të pranonte sukseset reale të qeverisë, por edhe të kritikonte gabimet konkrete me fakte dhe argumente, jo me akuza populiste e emocionale siq ka vepruar LDK 4 vitet e fundit, kjo sjellje, kjo gjuhë nuk ishte e votuesit standard të LDK-së.

Politika nuk fitohet me negativitet të përhershëm, por me besueshmëri, ide të qarta dhe përgjegjësi publike.

Votuesi i LDK-së nuk e ka karakterin përçarës, të inatit, gjelozisë, bajraktarizmit, përfiterëve, klaneve! por të sinqeritetit, të drejtësisë, të realitetit të moralit dhe etikës politike!