Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoxha: Takimet në Bruksel, përparim gradual i dialogut Kosovë-Serbi

Një progres gradual është arritur në takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat u zhvilluan në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, sipas profesorit Abit Hoxha.

Megjithatë, ai ka theksuar se ka nevojë për një marrëveshje që të jetë e qëndrueshme dhe të mos rrezikojë njërën nga palët.

“Është një përparim, por është një përparim inkremental, është një përparim siç duket ka një marrëveshje që përparimi të jetë inkremental dhe të mos ketë situata nga të dyja palët, ose njëra nga palët të bjerë në pozitë të keqe, për shkak të narracioneve që i kanë shndërruar deri më tani dhe unë parashoh një proces të stërzgjatur të implementimit të shtensionimit”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, profesori Hoxha ka theksuar se mungesa e një takimi trepalësh është e kuptueshme, pasi zakonisht  takimeve teknike i paraprinë një takim i tillë për të diskutuar çështje të ndryshme, në këtë rast siç ka thënë ai bëhet fjalë për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Ai ka vlerësuar se procesi i implementimit të shtensionimit pritet të jetë i gjatë dhe me sfida.

“Në negociata zakonisht takimet të cilat përgatisin terrenin për një marrëveshje për një takim të tillë trepalësh, ku palët njoftohen edhe diskutojnë çështje të ndryshme, këtë rast shtensionimin. Këto janë nivel teknik, pastaj mund të ndodh takimi ku edhe diskutohen detajet dhe merren vesh palët ose pajtohen për shtensiom të situatës”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka shprehur shqetësimin në lidhje me rolin e Kosovës në SHBA, duke përmendur një letër të publikuar në rrjetet sociale nga ambasadori amerikan, e cila sipas tij, pasqyronte një situatë shqetësuese në raport me Kosovën në SHBA.

Profesori Hoxha ka theksuar rëndësinë e marrjes së përgjegjësisë nga Kosova si shtet në agjendën ndërkombëtare, duke bashkëvepruar me SHBA-në dhe BE-në.

“Ndërsa, sa i përket gjendjes se relacioneve të Kosovës me SHBA-në, mendoj se është mjaftë ilustruese se kur ka një thirrje prej sekretarit të shtetit për një veprim edhe injorohet, kurse kur ka një thirrje prej tërë shtetit amerikan për një veprim të caktuar ka një refuzim të pakuptimit prej shtetit te Kosovës”, ka deklaruar ai për emisonin FIVE.