Një punonjës policie, me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë është ndaluar nga AMP.
Në njoftimin zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore sqaron se efektivi i policisë, Admir Elezi është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë N/Komisar Admir Elezi, me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga nenet 248 dhe 301 i Kodit Penal.
Ndalimi i tij u bë i mundur pasi në datën 10.03.2026 ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit H.SH, të cilit gjatë kontrollit teknik iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik i dyshuar si armë e ftohtë. Gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale të administrimit të sendit, punonjësi i policisë nuk ka vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës duke ndikuar në tjetërsimin e provave. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.
