I akuzuar si anëtar i grupit të Laert Haxhiut, Londra sjell në pranga “Lilin”, 49-vjeçarin me tre identitete, ja dosja dhe krimet
Interpol Tirana ka ekstraduar dje nga Britania e Madhe të shumëkërkuarin Lorenc Lala, 49 vjeç, i thirrur edhe me pseudonimin “Lili”, i akuzuar si anëtar i grupit të Laert Haxhiut, ndaj të cilit SPAK dhe GJKKO kanë nisur procesin. Autoritetet e Londrës kanë sjellë në pranga të kërkuarin, duke ia dorëzuar drejtësisë shqiptare në Rinas. Lajmin e konfirmoi edhe Policia e Shtetit, duke njoftuar aksionin e radhës të koduar “Wanted”. “Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit: -L. L. alias K. L. alias I. L., 49 vjeç, lindur në Lushnjë”, thuhet në njoftimin zyrtar. I njohur edhe me dy identitete të tjera si Kristian Lala dhe Ilir Lamberti (foto kryesore momenti i kapjes në Angli) , ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Ebasanit në tetor të 2023, që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Lala akuzohej për veprën penale “vrasje për gjakmarrje”, “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. 49 vjeçari nga Lushnja dyshohet se ka bashkëpunuar me Laert Haxhiun Artan Tafani, bashkëpunëtor i drejtësisë, Lulzim Spahija, Enriko Xhahysa dhe Bledar Berberi, për të vrarë Albi Bashaliun, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2021, në fshatin Gjocaj të Peqinit. Lorenc Lala dyshohet të ketë siguruar armët e përdorura në krim, si dhe ka siguruar mjetet e transportit të grupit kriminal dhe largimin e tyre nga vendi i ngjarjes. Lala u kap vitin e kaluar në Angli, më 19 qershor 2025, me qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
“Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar, 1 shtetas që akuzohet se ka siguruar mjete dhe kushte për vrasjen e një shtetasi, në vitin 2021, në fshatin Gjocaj, Peqin. Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit: -L. L. alias K. L. alias I. L., 49 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.10.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. 49-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit L. H., A. T., L. S., E. Xh. dhe B. B., për të kryer vrasjen e shtetasit A. B., më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin. Ai dyshohet se ka siguruar armët për kryerjen e këtij krimi dhe mjetet e transportit për largimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, nga vendi i ngjarjes”.
