Aktuale

I foli ish-të dashurës rumune/ Si u vra i riu nga Lezha në Itali (EMRI)

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Arezzos në Itali, ku një 29-vjeçar shqiptar nga Lezha humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri. Viktima, Gjergj Përgegaj, dyshohet se u përfshi në një konflikt të nxitur nga xhelozia, i cili përfundoi në mënyrë tragjike.

Sipas raportimeve të mediave italiane, autori i dyshuar është partneri aktual i ish-të dashurës së të riut, një 35-vjeçar po ashtu me origjinë shqiptare.

Ngjarja ndodhi në mbrëmje, kur ai i pa të dy duke biseduar pasi Gjergji kishte mbaruar turnin e tij të punës si kamerier. Në një moment tensioni të fortë, autori dyshohet se nxori armën dhe hapi zjarr disa herë.

Një nga plumbat e goditi 29-vjeçarin në zonën e qafës, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, nuk ishte e mundur t’i jepej ndihmë shpëtuese.

Pas ngjarjes, i dyshuari u largua nga vendi i krimit, por u identifikua dhe u arrestua nga policia disa orë më vonë pa kundërshtuar.

Ndërkohë, trupi i viktimës u transportua në morgun e spitalit San Donato, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe motivet e kësaj vrasjeje që dyshohet të ketë pasur prapavijë pasionale.

Të Ngjashme