Me nderimet më larta qytetare në varrezat e qytetit në Gjakovë i është dhënë lamtumira e fundit artsitit dhe atdhetarit të shquar, veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, Mentor Kaçi.
Mentor Kaçi përveç se një ish i burgosur politik, artist dhe patriot i madh ishte ndër ata njerëz që nuk dëshironin protagonizëm por bënin krejt çka ishte e mundur për lirinë e popullit, për Kosovën Republikë dhe për bashkimin kombëtar. Kështu është shprehur në fjalën e tij lamtumirës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Krijues i mirë, artist i madh i cili e kombinonte estetikën me patriotizëm. Pak njerëz e dinë sepse Mentori nuk e ka treguar që është ndër të parët që i ka qepur uniformat e UÇK-së. Andaj ndonëse një vdekje e papritur, kjo është vdekje fizike e një jete që ia ka vlejtur fort. Një jete që ia vlejti për Mentorin edhe për të gjithë ne të cilët shumë gjatë do ta kujtojmë e madje edhe brezat tjerë të cilët do të mësojnë prej tij”, tha Kurti.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se sot nuk i jipet lamtumira një njeriu të thjeshtë, por një copë të historisë sonë.
“Mentori ka qenë ndër njerëzit e parë që jo vetëm që e ka bërë punën e vet me sakrificë të pashoq, por ka qenë edhe inspirim për shumë tjerë, për ne e për shumë gjenerata. Prej sot kemi me e gjet në letra, kemi me e gjet në memorien tonë, në përkujtime por kujtimi i tij nuk do të shuhet për shkak se vepra e tij nuk do të shuhet”, tha Gjini.
“Sot nuk mund të flas shumë, po më tradhton zëri dhe emocionet. Do ta kujtojmë gjithmonë ashtu siç ishte i thjeshtë, i dashur për të gjithë. Edhe njëherë ju falënderoj shumë që keni ardhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit, e vlerësoj shumë edhe unë personalisht por edhe familja jonë”, tha djali i të ndjerit, Benet Kaçi.
Si njëri prej udhëheqësve të celulave të para për çlirim, Mentor Kaçi u dënua me 12 vjet burgim. Në vitin 1981 u dënua me 5 vjet burg ndërsa në vitin 1991, 7 vjet. Ndryshe, Mentor Kaçi ishte edhe punëtor i ish RTP.
